
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se së shpejti do të firmoset kontrata mes PD dhe strategut amerikan të fushatave zgjedhore, Chriss LaCivita, në përputhje me ligjet e vlefshme të vendit.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, Berisha theksoi se, ndryshe nga kryeministri Rama, i cili flet për çështje të tilla në mënyrë të vetme, kjo kontratë do të depozitohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Unë, natyrisht nuk bëj Edi Ramën që flet me vete, që shpik edhe fansat dhe i bën pyetje vetes duke mashtruar publikun se mora këto pyetje, në një kohë kur ato pyetje i nxjerr nga defteret e veta.
Kështu që unë nuk kam si të mos i përgjigjem pyetjes tuaj, ndonëse do preferoja shumë që pyetjet tuaja të përqendroheshin tek problemet e mëdha të shëndetësisë tonë dhe programin që ne paraqesim këtu.
Sepse siç e konstatoni, në krahun tjetër, Edi Rama ka mashtruar aq shumë, sa më ngjet me njeriun që është stërngopur me mashtrimet e tij dhe tani nuk ka guxim të nxjerrë më mashtrime të tjera dhe nga mëngjesi gjer në darkë të shndërrohet në një banor të parkut zoologjik të avertebrorëve, të zhabave, zhapikëve, reptilëve, etj, etj,. Nuk flet një fjalë për përgjegjësitë që ka para qytetarëve qoftë në ato që ka bërë, qoftë për ato që do të bëjë.
Po unë nuk jam ai. Unë do përgjigjem.
U garantoj se ajo kontratë, me të gjitha burimet se ku është marrë çdo qindarkë, do bëhet publike ditën që do përmbushet detyrimi ligjor i dorëzimit të saj në KQZ, siç na detyron ligji. Kjo është përgjigja ime për këtë”, tha Berisha.