
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha gjatë një deklarate për mediat se, në programin e saj, Partia Demokratike do të garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë së përdorur në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE.
“Partia Demokratike e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, ajo, në aktin e parë dhe në buxhetin e parë, do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë.
Në programin e saj, PD do të garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdoren në vendet anëtare të BE, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE.
PD konstaton se sot, numri i shtretërve për frymë është dy herë më i ulët se në vendet e BE.
Numri i mjekëve për frymë është katër herë më i ulët.
Në këtë kontekst, shtimi i mjekëve, hapja e një fakulteti të dytë mjekësie, me qëllim për të arritur sa më shpejt standardin evropian në mjekë për frymë, rikonstruksioni apo ndërtimi i spitaleve të reja, do të jenë objektiva të menjëhershëm të PD.
Por, sistemi shëndetësor, i cili nga të gjitha sistemet ka pësuar hemorragjinë më të madhe, nuk mund të qëndrojë pa dyfishuar rrogat e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri, si kusht themelor që mjekët të qëndrojnë në Shqipëri.
Që të ndalohet kjo rrokullisje e madhe e sistemit shëndetësor në Shqipëri, dyfishimi i rrogave do të jetë objektivi i parë dhe kryesor në ndërhyrjen tonë për sistemin e shëndetësisë.
Raporte të reja ligjore do të vendosen midis sektorit privat dhe sektorit publik. Qeveria do të ruajë marrëdhëniet vetëm me sektorin privat jopërfitues.
Ndërsa me sektorin tjetër, sigurisht që do të lejojë aktivitetin e tyre, por ata nuk do mund të përfitojnë nga aktivitetet dhe prokurimet në sistemin shëndetësor. Kartela dixhitale dhe dixhitalizimi i saj do të jetë themel i reformës që ne do të ndërmarrim.
Shqipëria është vendi i vetëm ku nuk ekziston karta dixhitale, por ekziston karta njëlloj si në fillim të shekullit të njëzetë. Çdo gjë ishte e përgatitur, por zbatimi i saj u la mënjanë. Gjithçka u rrokullis këto 12 vjet dhe ne u kthyem mbrapa.
Pra, një reformë e thellë, e shpejtë dhe e gjithanshme, me një synim të vetëm: rritjen e shpejtë të cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe uljen drastike të barrës financiare të tyre për kujdesin shëndetësor.
Kjo barrë sot arrin në 60 përqind, në një kohë kur në Gjermani është 12 përqind dhe në Itali është 21 përqind. 60 përqind është ndër më të lartat në botë, dhe e tëra është pasojë e korrupsionit.
Do të anulohen menjëherë të gjitha partneritetet qeveritare në shëndetësi, fund e krye korruptive. Do të vihen para ligjit të gjithë ata që u pasuruan mbi jetët e të sëmurëve shqiptarë.
Unë jam optimist se me vendosmëri, me dyfishim të buxhetit, me përfundim të reformës dhe zbatimin e saj, ne do ta ndryshojmë, dhe vërtet do të realizojmë një shërbim shëndetësor me cilësinë që Shqipëria ka njohur në historinë e saj,” tha kryetrai i PD Sali Berisha.