
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare, ka përfunduar me sukses operacionin “RYDOX”, i cili ka goditur një treg të paligjshëm kibernetik dhe ka arrestuar tre administratorët e tij.

Operacioni, i cili përfshiu një bashkëpunim të ngushtë mes SPAK, FBI-së (Zyra në Pittsburgh), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Shqipëri, Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Policisë Mbretërore të Malajzisë, ka çuar në prangosjen e tre administratorëve të platformës RYDOX, një treg të njohur për aktivitetet e tij të paligjshme në fushën e krimit kibernetik.
Njëri nga administratorët, shtetasi kosovar Sh.S., i cili kishte banim dhe lejeqëndrim në Shqipëri, u arrestua pas një urdhri të prokurorit të çështjes. Hetimet kanë zbuluar se platforma RYDOX ka funksionuar që prej shkurtit të vitit 2016, duke kryer mbi 7,600 shitje të informacionit të vjedhur dhe duke gjeneruar të paktën 230,000 dollarë të ardhura. RYDOX ka ofruar një gamë të gjerë produktesh të krimit kibernetik, duke përfshirë informacione personale të vjedhura (si emra, adresat dhe numra sigurimesh shoqërore), kredenciale të kartave të kreditit dhe informacion për hyrje në llogari të individëve nga e gjithë bota, përfshirë edhe shtetas amerikanë.
Në kuadër të operacionit, autoritetet kanë sekuestruar 1 njësi kompjuterike, 6 laptopë, 5 celularë dhe pajisje të tjera memorizuese, si dhe dokumente dhe asete monetare në kriptomonedha. Po ashtu, autoritetet amerikane kanë sekuestruar domenin www.Rydox.cc, duke parandaluar përdorimin e mëtejshëm të platformës për aktivitete të paligjshme. Vizitorët e faqes tani do të shohin një njoftim që i informon ata për sekuestrimin e platformës nga autoritetet federale, në bashkëpunim me SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ky operacion është një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit kibernetik. Përmes këtij veprimi, SPAK ka demonstruar aftësinë e tij për të bashkëpunuar me agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vendase për të çmontuar rrjetet kriminale që veprojnë në hapësirën kibernetike.
Hetimet për këtë çështje janë ende në zhvillim e sipër, dhe autoritetet po punojnë për të përcaktuar plotësisht përgjegjësinë penale të të dyshuarve, si dhe për të zbuluar të gjithë zinxhirin kriminal që fshihet pas aktiviteteve të paligjshme të RYDOX.
SPAK ka theksuar gjithashtu rëndësinë e sensibilizimit të qytetarëve për rreziqet e aktiviteteteve të tilla kibernetike, të cilat jo vetëm që dëmtojnë privatësinë dhe sigurinë e individëve, por gjithashtu fuqizojnë rrjete kriminale që dëmtojnë besimin dhe sigurinë publike. Prokuroria e Posaçme u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj aktiviteteve të dyshimta në internet dhe t’i raportojnë ato tek autoritetet përkatëse për të parandaluar përhapjen e krimit kibernetik.
Në fund, SPAK apelon për një vëmendje të shtuar ndaj sigurisë në internet dhe nënvizon se bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi i luftës kundër krimit të organizuar në hapësirën kibernetike.
Marr nga SPAK.gov.al