
Një lajm i papritur ka tronditur publikun shqiptar pasi është zbuluar se këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, e cila ka qëndruar jashtë vëmendjes mediatike për shumë vite, ka jetuar si e pastrehë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky informacion ka ngjallur kuriozitet dhe shqetësim për fatin e saj, pas një periudhe të gjatë mungese nga skena muzikore.
Biznesmeni dhe modeli shqiptar në SHBA, Elton Ilirjani, ka ndërhyrë menjëherë, duke i ofruar një strehim të përkohshëm këngëtares Simaku, e cila kishte humbur kontaktet me familjen dhe Shqipërinë për më shumë se 20 vjet. Përmes postimeve në Instagram, Ilirjani ka ndarë momente nga takimi i parë me këngëtaren dhe ka njoftuar se ajo do të qëndrojë për tri javë në një dhomë hoteli në Manhatan, derisa të merret një vendim për hapat e ardhshëm, në bashkëpunim me të dhe familjarët e saj.
Për më tepër, Ilirjani ka hapur një llogari në “GoFundMe” për mbledhjen e fondeve për Simakun, duke theksuar se kjo iniciativë është marrë për shkak të gjendjes së saj të vështirë. Ai argumenton se Parashqevi Simaku ka lënë një ndikim të pashlyeshëm në kulturën dhe muzikën shqiptare, veçanërisht gjatë viteve 1980 dhe 1990. Aktualisht, janë mbledhur 1,105 dollarë dhe synimi është mbledhja e 1 milionë dollarëve.

Në përshkrimin e llogarisë, Ilirjani shprehet se çdo kontribut do të përdoret për mirëqenien dhe dinjitetin e Simakut, duke shtuar se kjo është një mundësi për të shprehur falënderimin dhe respektin e kombit shqiptar për kontributin e saj të çmuar.
“Sot është momenti ynë qe t’i tregojmë Divës tonë kujdesin, dashurinë, respektin dhe admirimin maksimal për kontributin e saj të pamasë në kulturën dhe muzikën shqiptare në përgjithësi.
Unë mund t’ju siguroj absolutisht se çdo qindarkë që do të mblidhet përmes kësaj fushate për mbledhjen e fondeve do të menaxhohet siç duhet dhe do të shkojë vetëm për mirëqenien, interesin dhe prosperitetin e saj, në mënyrë që të përpiqemi sa më shumë që të jetë e mundur për t’i rikthyer zonjës Simaku dinjitetin, respektin dhe admirimin që ne kemi si komb ndaj saj.
Në emër të zonjës Simaku, ju falënderoj të gjithëve për mendimet dhe urimet tuaja, dhe çdo kontribut financiar që mund të ofroni.
Sinqerisht,
Elton Ilirjani”,